Tryezë e hapur diskutimi për Reformën Territoriale dhe Reformën Zgjedhore

Shqipëria siç po e shikoni, po jeton një nga periudhat më të vështira në raport me shtetin, me Kushtetutën, dhe me jetën publike.

Korrupsioni është bërë i kudondodhur, pothuajse çdo ditë ka skandale që përfshijnë ekzekutivin në të gjithë nivelet, por dhe segmente të biznesit, të mediave, madje edhe të ndërkombëtarëve.

Ne gjykojmë se forcat progresiste të gjitha së bashku, përtej ndryshimeve partiake e orientimeve ideologjike, mund të bashkohen për të prodhuar një projekt të ri politik, i cili mbështet çdo formë proteste, rezitence e demostrimi kundër këtij regjimi që është ngritur.

Megjithatë, përtej kësaj, duhet të rikthejmë politikën në fushë betejë, që do të thotë se duhet të merremi detyrimisht me reformat e mëdha, siç është Reforma Kushtetuese, Reforma Territoriale dhe Reforma Zgjedhore.

Prandaj kemi mbledhur një tryezë të hapur diskutimi, me aktorë të politikës dhe jetës publike në vend, për të diskutuar pikërisht dy nga këto probleme: Reformën Territoriale dhe Reformën Zgjedhore.

 

REFORMA TERRITORIALE

Zgjedhjet administrative janë më të afërta, dhe do të ishte absurde nëse ndryshimet për ndarjen administrative do të bëheshin pas zgjedhjeve. Ne themi se kjo është një urgjencë e cila duhet realizuar para zgjedhjeve, që pastaj zgjedhjet lokale të bëhen me ndarjen e re administrative.

Reforma e vitit 2015, që fatkeqësisht u braktis dhe nga opozita, tregoi që nuk i përgjigjet realitetit shqiptar. I tregoi të gjitha dobësitë e veta: rriti shpenzimet administrative, mungesë efiçence në administrim, mungesë përfaqësimi nga ana demokratike.

Ne do të shtyjmë me të gjitha mundësitë tona drejt riorganizimit të territorit në një ndarje të re që t’i përgjigjet realitetit dhe kohës, t’i japi përfaqësim të gjithë qytetarëve pavarësisht se ku jetojnë, dhe të çlirojë të gjitha energjitë pozitive që i jep pushteti lokal, nëse ka kompetencat dhe fondet e mjaftueshme.

Gjithsesi kjo është një temë për të cilën ia vlen të mblidhemi sërish për ta diskutuar më në detaje.

Për sa i përket ligjit zgjedhor me të cilin sot votohet për pushtetet lokale, ne mendojmë të bëhen këto ndryshime:

 

  1. Zgjedhjet të quhen të vlefshme vetëm nëse kanë votuar 50 përqind e votuesve rezidentë në zonat që votohet.

 

  1. Votimi të jetë me dy raunde. Kjo për t’i dhënë mundësi që Kryetari i Bashkisë të përfaqësojë 50 plus 1 të qytetarëve të zonës. Si edhe për t’i dhënë mundësi të gjithave forcave kontribuuese, që të jenë në lojën politike në raundin e pare, pa pasur paragjykimet që ekzistojnë sot që kjo parti e vogël, ose ky kandidat i pavarur i prish punë grupeve të mëdha politikë që kanë monopolizuar jetën politike dhe rikatojnë të gjithë alternativat e ndryshme të reja progresiste që janë e vetmja shpresë për të ndryshuar realitetin që është sot. Kjo është plotësisht e mundur dhe modeli i Kosovës i zgjedhjeve të fundit, na e vërtetoi këtë.

 

REFORMA ZGJEDHORE

  1. Barazia e votës, nëpërmjet një sistemi proporcional kombëtar ose rikthimin e sistemit të mëparshëm mazhoritar i korrektuar me proporcional.
  2. Kthimin e koalicioneve.
  3. Lista të hapura në sistemin proporcional kombëtar.
  4. Votim dhe numërim elektronik.

 

Jemi absolutisht të hapur për çdo diskutim, negociim dhe përmirësim të këtyre pikave, por e rëndësishme është që ky ligj që është sot, të ndryshohet plotësisht sepse edhe zgjedhjet e fundit, përtej abuzimeve, kontributit të ambienteve të errëta të Shqipërisë, prodhoi një rezultat që nuk përfaqëson realitetin politik shqiptar.

Prandaj, jemi të hapur për çdo diskutim, por me vendosmërinë që ky ligj shumë i keq të ndryshohet një herë e mirë.

Tags: , ,

Postime te tjera