Reforma Territoriale dhe Reforma Zgjedhore, Dashamir Shehi prezanton platformën me propozime

Kryetari i partisë Lëvizja për Zhvillim Kombëtar, ka dhënë një intervistë për televizionin A2CNN, ku ka sqaruar gjerësisht edhe propozimet për Reformën Territoriale dhe Reformën Zgjedhore, si dhe iniciativën për zhvillimin e një tryeze të hapur diskutimi për këtë.

Hapi i parë ishte zhvillimi i tryezës ditën e Premte, 19 Dhjetor 2025, por do të vijojë edhe në Janar.

“Tryeza që zhvilluam ditën e Premte është vetëm një tentativë e parë, sepse kjo iniciativë e jona do të vazhdojë për Reformën Territoriale dhe Reformën Zgjedhore. Këto janë dy reforma që ende nuk kanë nisur të diskutohen në Parlament. Unë mendoj se e para duhet të jetë Reforma Territoriale, sepse zgjedhjet lokale janë të afërta, ndaj dhe ndarja e re territoriale duhet të bëhet para zgjedhjeve. Koha është e mjaftueshme që të bëhet rishpërndarja territorial dhe të plotësojmë ato defekte që koha tregoi se kemi siç janë rritja e shpenzimeve financiare, niveli i ulët i administrimit, mungesa e përfaqësimit dhe një sërë problemesh të tjera”, tha z. Shehi.

Kryetari i LZHK-së vijoi më tej duke kaluar në propozimet konkrete për ndryshimet e propozuara.

“Propozimi ynë është që zgjedhjet për Kryetar Bashkie të bëhen me dy raunde, sepse siç e pamë dhe nga zgjedhjet e fundit që u zhvilluan, figura e kryetarëve të bashkive është degjeneruar. Jo vetëm që ishin formale, por me 10 përqind të votuesve që morën pjesë, zgjedhja e tyre nuk ka moral. Prandaj dhe nevojitet një kufi pjesëmarrjeje, që nëse nuk marrin pjesë votuesit në kufirin e vendosur, edhe zgjedhjet të mos kenë vlerë. Ndërsa propozimi tjetër është që zgjedhjet lokale të bëhen me dy raunde. Kështu edhe Kryetari që do të zgjidhet, të marri gjysmën e votave të rezidentëve. Dhe kryerja me dy raunde nuk ka kosto sepse në raundin e dytë ka vetëm dy emra. Këtu kemi parë dhe eksperiencën e Kosovës se sa pozitive ishte”, tha kreu i LZHK-së.

Sipas z. Shehi, dy kryetarët e partive të mëdha, kanë monopolizuar jetën politike dhe ndaj beteja politike në zgjedhjet lokale nuk zhvillohet e hapur. Sipas tij, u duhet dhënë mundësia edhe forcave të reja dhe njerëzve të pavarur që të konkurojnë, dhe mos të jetë sistemi i mbyllur vetëm me kandidatët e caktuar nga partitë kryesore.

Lidhur me numrin e bashkive në vend, kryetari i LZHK-së, u shpreh se mbështet idenë që të jenë më shumë në numër.

“Kam qenë pro që numri i bashkive të jetë më i madh, që 10 vite më parë. Pse? Sepse qytetet e mëdha që kanë një nukël urban, kanë problematika urbane dhe nuk mund të bashkohen me fshatrat që kanë problematika të tjera. Për më tepër që fshatrat përreth tyre, me tëpr po funksionojnë si serbator votash ku kryetarët kanë vetëm interesin që të mbledhin vota, pa punuar realisht për problematikat që këto fshatra kanë. Pra, ata jo vetëm që nuk i shërbejnë qytetarëve, por influencojnë dhe proçesin zgjedhor politik”, tha z. Shehi.

Ndërsa për Reformën Zgjedhore, Dashamir Shehi tha se ajo që u miratua në 2008-ën, ka pasur vetëm arnime dhe jo ndryshime apo rregullime reale. Ai artikuloi edhe këtu propozimet konkrete, përfshi kthimin në një zonë të vetme zgjedhore, kthimin tek sistemi i vjetër mazhoritar i korrektuar me proporcional etj.

“Telbi është se kjo ndarje në 12 zona elektorale ka prodhuar pabarazi. Për shembull në Vlorë për të dalë deputet nevojiten 7800 vota, për t’u zgjedhur në Tiranë duhen 12000 vota, në Kukës madje edhe më shumë se 12 mijë vota. Pra kemi një pabarazi. Atëhere si zgjidhet? Duke pasur vetëm një zonë elektorale, sepse kjo e thjeshton sistemin, heq disproporcionin e votës, si dhe është system më patriotik. Të gjithë të garojnë në një listë të vetme. Patjetër që jam edhe për listat e hapura. Gjithashtu mbështes kthimin tek ligji i vjetër mazhoritari i korrektuar me proporcional”, tha z. Shehi.

Ndër të tjera, kryetari i LZHK-së tha se Parlamenti duhet t’i rikthehet politikës, sepse nuk është vend proteste. Vërtetë prodhon zhurmë dhe lajm, por nuk prodhon politikë.

Tags: , , ,

Postime te tjera