Mazhoranca rrëmben edhe Avokatin e Popullit, institucionin e vetëm që formalisht i përkiste opozitës!

“Lëvizja për Zhvillim Kombëtar” ka mbështetur në vazhdimësi Reformën në Drejtësi dhe pavarësinë funksionale e institucionale të organeve të drejtësisë se, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar ka një rëndësi të jashtëzakonshme për Shqipërinë.

Në këtë kontekst, “Lëvizja për Zhvillim Kombëtar” vlerëson proçedurën e Këshillit të Lartë të Prokurorisë për zgjedhjen e drejtuesit të ri të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) dhe vëzhgimin e procesit nga ambasadorët e SHBA-së, BE, Gjermanisë, Mbretërisë së Bashkuar, Francës, Italisë, etj.

“Lëvizja për Zhvillim Kombëtar” duke i uruar suksese drejtuesit të ri të SPAK, beson dhe shpreson se këtë detyrë shumë të rëndësishme, do ta kryejë me integritet, pavarësi dhe respektim të standardeve më të larta të shtetit të së drejtës.

“Lëvizja për Zhvillim Kombëtar” e ka ndjekur me shumë vëmendje dhe shqetësim proçesin e zvarritur të zgjedhjes së Avokatit të Popullit. Më në fund, pas tre vitesh të mbarimit të mandatit, mazhoranca rrëmben edhe Avokatin e Popullit, institucionin e vetëm që formalisht i përkiste opozitës dhe, për më tepër, me firmat e deputetëve të PD dhe votat e deputetëve të PS.

Institucioni i Avokatit të Popullit nuk është zgjatim i pushtetit. Ai është ngritur pikërisht për të mbrojtur popullin nga abuzimet e pushtetit. Ishte krijuar një praktikë pozitive që Avokati i Popullit i lihej të zgjidhej nga opozita.

Ne nuk kemi pritur dhe as nuk presim që mazhoranca socialiste të respektojë institucionalisht rolin mbikqyrës e kontrollues të opozitës, sepse është në traditën dhe mentalitetin e saj se, pasi të marrë pushtetin duhet të marrë të gjithë shtetin.

Ajo që ne kemi pritur dhe presim nga PD është, që si forcë kryesore e opozitës, të luajë rolin e saj në demokraci. Në vend të kësaj pritshmërie, ne pamë që nga 50 deputetët e saj në Kuvend, 35 prej tyre firmosën për një kanditat që e donte PS, duke ia “dhuruar” edhe këtë institucion qeverisë.

Tashmë që edhe Avokati i Popullit u bë levë e qeverisë, qytetari edhe formalisht mbetet krejt i pambrojtur. Pra, opozita, në këtë rast PD, ndihmoi që shteti të funksionojë si dikur në diktaturë, kur e quante veten të pagabueshëm dhe qytetari mbetej gjithnjë fajtor.

Kështu, aktualisht jemi përpara një realiteti politik krejt pesimist: pushtetin dhe gjithë shtetin e ka marrë Partia Socialiste; opozita ka lëshuar atributet e mbikqyrjes; vendi ka shkuar në limitet e fundit ku demokracisë funksionale nuk i ka mbetur pothuajse asnjë hapësirë.

Në këto kushte, “Lëvizja për Zhvillim Kombëtar” është jo vetëm e shqetësuar, por do të intensifikojë angazhimin e saj për të kontribuar në rikthimin e  vendit në binarët demokratikë.

Tags: , , ,

Postime te tjera