Kryetari i LZHK-së, Dashamir Shehi, në një intervistë në emisionin “Kjo Javë” në televizionin News 24, të moderatores Nisida Tufa, u shpreh se proçesi i intervistimit të kandidatëve për kryetar të SPAK, nuk duhej bërë mediatik.
Shehi tha se një seancë 6-orëshe me transmetim publik nuk përdoret në asnjë vend të botës dhe vetëm i ekspozon hetuesit e prokurorët në mënyrë të panevojshme. Sipas kreut të LZHK-së, kandidatët duhet të vlerësohen mbi bazën e historikut të tyre profesional, dhe jo të artikulimit mediatik.
“Një show i tillë nuk është i nevojshëm për drejtësinë. Një proçedurë e tillë nuk bëhet mediatike në asnjë vend të botës, sepse në këtë mënyrë vihen në vështirësi vetë prokurorët, të cilët janë hetues që do të merren me çështje delikate,” u shpreh ai.
Shehi tha se figura e kryetarit të këtij institucioni të rëndësishëm të drejtësisë, do të varet nga rezultatet e punës së tij. Ai theksoi se pavarësisht ritmit të ngadaltë, në drejtësi ka sinjale pozitive.
“Sot kemi ministra e zyrtarë në burg. Janë prekur ata që deri dje ishin të paprekshëm. Proçesi është i ngadaltë, por shenjat janë pozitive. Megjithatë, sot SPAK ka një mbingarkesë çështjesh, sepse çdo njëri shkon dhe paraqitet aty, por nuk mund të jetë ai institucion që merret me çdo çështje. SPAK duhet të fokusohet në një bashkësi më të ngushtë,” tha Shehi.
Mesazhi kryesor i kreut të LZHK-së ishte goditja e pasurive të krimit:
“Nëse nuk sekuestrohen paratë e kriminelëve, kjo punë nuk ka efikasitet. Nëse nuk godasin paratë e krimit, as kriminelët nuk shqetësohen dhe as politika nuk ka problem. Është shumë e rëndësishme që të goditen paratë e krimit. Pra kemi treguar në këto vitet që mund të bësh politikë edhe nëse të thërret SPAK. Ai është një institucion që punon si skuadër. Janë caktuar për atë punë”, tha Shehi.




