Lëvizja për Zhvillim Kombëtar i ka bërë thirrje ditën e sotme shqiptarëve të Diasporës për t’u regjistruar në zgjedhjet e 11 majit.
Përmes një deklarate për mediat, 2 bashkëkryetarët e LZHK, z. Dashamir Shehi dhe z. Ekrem Spahiu, janë shprehur se vota e diasporës është e rëndësishme për të bërë ndryshimin në Shqipëri.
Teksa shpjeguan procesin për mënyrën e regjistrimit në zgjedhje, ata ftuan të gjithë simpatizantët e LZHK që të bashkohen me platformën e tyre.
Deklarata e LZHK për mediat:
Thirrje e Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar për bashkëkombësit, shtetas të Shqipërisë që jetojnë jashtë!
Sikurse jeni në dijeni, më 11 Maj 2025, në Shqipëri do të zhvillohen zgjedhjet parlamentare dhe, për herë të parë, ju që jetoni jashtë saj, mund të votoni përmes postës.
Mërgata shqiptare i ka dalë zot Atdheut në të gjitha kohërat. Pjesëmarrja juaj me votë në këto zgjedhje do të jetë një dëshmi më shumë e këtij misioni.
Në këto votime, evidentohet mundësia, domosdoshmëria dhe përgjegjësia për të zgjedhur kandidatët më të mirë.
Por, që të ushtroni këto të drejta, duhet të regjistroheni. Pa këtë hap, vota juaj nuk mund të realizohet.
Gjithashtu, duhet të siguroni një dokument të vlefshëm të shtetit shqiptar (Letërnjoftim ID, ose pasaportë). Lëvizja për Zhvillim Kombëtar po kërkon zgjatjen e vlefshmërisë së dokumenteve të skaduara, por, për çdo rast, bëni të pamundurën për t’i rinovuar.
Familjet tuaja dhe Shqipëria kanë nevojë për ju, jo vetëm për remitancat si faktor ekonomik, por në radhë të parë për votën tuaj si faktor politik. Do të jetë dita dhe mundësia që të kontribuoni për një qeverisje të pakorruptuar, më të drejtë dhe më të ndershme.
Filloni procesin e regjistrimit tani!
Shkarkoni aplikacionin mobile KQZ për Android dhe IOS, ose vizitoni www.kqz.gov.al (rubrika Votues nga Jashtë) për të marrë të gjitha informacionet se si mund të votoni nga jashtë territorit të Shqipërisë për zgjedhjet e 11 Majit 2025, për Kuvendin e Shqipërisë.
Ftojmë të gjithë simpatizantët e LZHK, si dhe gjithë shtetasit shqiptarë që duan ndryshimin që meriton Shqipëria, qytetarët dhe shtetasit e saj, ta kryejnë sa më parë këtë proces dhe të bashkohen me platformën tonë.




