Lëvizja për Zhvillim Kombëtar (LZHK) ka argumentuar se ndryshimet në Kodin Zgjedhor ishin një marrëveshje për të plotësuar qëllimet e PS e PD dhe jo për standartet demokratike.
Komentet Shehi i bëri përmes një deklarate për mediat këtë të premte, ku tha se ky kod zgjedhor penalizon subjektet politike për një garë të ndershme elektorale përballë PS dhe PD.
Ai shtoi se Gjykata Kushtetuese duhet të marrë një vendim të drejtë e të moralshëm lidhur me këtë çështje, për të mbrojtur minorancën.
Pjesë nga deklarata e Shehit:
Gjykata Kushtetuese, më datë 4 dhjetor 2024, zhvilloi seancë të hapur, ku u dëgjuan pretendimet e subjekteve politike që kundërshtuan ndryshimet në Kodin Zgjedhor, lidhur me listat e hapura apo të mbyllura të votuara në seancën e Kuvendit të Shqipërisë të datës 26 korrik 2024.
Lëvizja për Zhvillim Kombëtar, nëpërmjet z. Dashamir Shehi, argumentoi: “Ndryshimet në Kodin zgjedhor ishin një marrëveshje për të plotësuar qëllimet e PS dhe PD dhe jo standardet demokratike. Prandaj mbrojti me argumenta pse nuk duhej lënë në fuqi kjo marrëveshje dhe se ankimimi në Gjykatën Kushtetuese u vlerësua si domosdoshmëri për të mbrojtur demokracinë dhe të drejtat e njeriut.
Me këtë ligj, 1/3 e kandidatëve për deputetë që do të jenë në listë të mbyllur, i zgjedh partia, ndërsa qytetarit i lihet hapësirë për vetëm 2/3, çka flet për demokraci të cunguar, çka është shkelje flagrante e demokracisë ngase krijon tre pabarazi:
– pabarazi mes subjekteve zgjedhore,
– pabarazi mes kandidatëve të së njëjtës parti
– pabarazi vote.
Ky ligj që është sot, është kushtetues. Mund ta kaloni, por dhe mund ta ndryshoni. Mendojmw qw Gjykata Kushtetuese duhet të shkojë në thelb të ligjit. Sigurisht që mazhorancat e kanë mundësinë për të ofruar dhe votuar ligje me dominancë. Por Gjykata Kushtetuese nuk është instrument për të mbrojtur mazhorancat duke iu dhënë të drejtë nga se janë mazhorancë, por në radhë të parë për të mbrojtur minorancën. Ky është thelbi i demokracisë.
Kështu garantohen të gjithë palët. Nuk është çështja t’i bënit favor disa partive të vogla, se ato hyjnë edhe në parti të mëdha, por keni misionin dhe shansin që t’i bëni shërbim, në radhë të parë, Kushtetutës dhe shtetit shqiptar.”
Gjykata Kushtetuese, brenda 30 ditëve do të shprehet me vendim për shfuqizimin ose jo të këtyre ndryshimeve në Kodin Zgjedhor.




