Kryetari i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar (LZHK) ka treguar planin për bashkimin e të gjitha partive opozitare që nuk e shohin veten afër me PD-në e drejtuar nga Sali Berisha.
I ftuar në News 24, Shehi tha se ky grup opozitar nëse krijohet do të ketë të përbashkët me PD-në qëllimin për rrëzimin e qeverisë së kryeministrit Edi Rama.
“Ne aderojmë në një lëvizje që puq të gjithë këto faktorë opozitarë që nuk janë me
Rithemelimin.
Por qëllimi i përbashkët është rrëzimi i Qeverisë Socialiste, rrëzimi i Edi Ramës si autokrati politik i Shqipërisë dhe në këtë lloj filozofie mendojmë që bashkë me zotin Alibeaj, bashkë me zotërinj të tjerë, me ata të tjerët që janë jashtë Parlamentit, të krijojmë një grup që të hyjmë me një listë të përbashkët, që të mos ketë dispresion dhe votat të mos shkojnë kot.
Unë besoj që po të bëhen 4-5 parti nuk humb ndonjë votë. Nuk dëmtohet PD”, tha Shehi.
Ai shtoi gjithashtu se është bërë e qartë se vetëm PD me lidershipin e vet nuk mjafton për të mposhtur PS-në në zgjedhje.
Sipas Shehit, krijimi i një grupimi tjetër opozitar është zgjidhja e vetme për ‘korrjen’ e suksesit në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025.
“Unë them se kjo është e vetmja mënyrë për të çarë rrethimin ndaj Edi Ramës.
Është një eksperiencë e kolauduar në të gjithë botën. Ja ku e ke Italinë, ka 3 grupe të mëdha politike atje në opozitë.
Realiteti politik na mëson sot se PD me lidershipin e vet nuk është më e mjaftueshme për të mundur Edi Ramën. U bë 12 vite kjo punë”, shtoi Shehi.




